KOMUNIKATË - Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës realizuan aktivitete të përbashkëta në kuadër të operacionit ndërkombëtar “JAD Global Chain 2026”

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin e Punës, gjatë periudhës 08–12 qershor 2026, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex.
Në këtë operacion ndërkombëtar kanë marrë pjesë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Vietnami, Tajlanda, Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Brazili, Kolumbia, shtetet anëtare të AMERIPOL-it, Nigeria dhe Panamaja. Liderë të këtij veprimi kanë qenë Austria, Rumania dhe Frontex.
Në kuadër të këtij plani operativ janë zhvilluar aktivitete të ndryshme, të cilat kanë përfshirë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz, operacione të përbashkëta me inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratit të Punës për kontrollimin e lokaleve me muzikë live dhe qendrave të masazhit, si dhe zbatimin e planeve taktike lidhur me eskortat.
Rezultatet e aktiviteteve të përbashkëta nga aspekti tatimor
Në kuadër të kontrolleve të përbashkëta të realizuara nga ekipet e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, MINT dhe Inspektoratit të punës, nga aspekti tatimor janë kontrolluar gjithsej 79 subjekte afariste, me fokus në respektimin e legjislacionit tatimor dhe formalizimin e ekonomisë.
Gjatë këtyre aktiviteteve janë verifikuar përmbushja e obligimeve tatimore, përdorimi i Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), lëshimi i kuponëve fiskalë, deklarimi i punëtorëve, si dhe respektimi i dispozitave të tjera të legjislacionit tatimor.
Nga kontrollet e realizuara është konstatuar se një pjesë e subjekteve i përmbushin obligimet ligjore, ndërsa në një numër rastesh janë evidentuar parregullsi, përfshirë mosposedimin e Pajisjes Elektronike Fiskale, moslëshimin e kuponit fiskal, punëtorë të padeklaruar dhe shkelje të tjera, për të cilat janë ndërmarrë veprimet ligjore nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Raporti përmbledhës i inspektimeve:
79 subjekte afariste të kontrolluara;
50 subjekte të pajisura me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF/SEF);
27 subjekte të papajisura me PEF;
2 subjekte pa të dhëna për statusin e pajisjes me PEF;
43 subjekte kanë lëshuar kupon fiskal;
33 subjekte nuk kanë lëshuar kupon fiskal;
3 subjekte pa të dhëna lidhur me lëshimin e kuponit fiskal;
94 punëtorë të padeklaruar janë evidentuar gjatë kontrolleve.
Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës mbeten të përkushtuara në vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta, në bashkëpunim me institucionet vendore me qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, trafikimit me njerëz, evazionit fiskal dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Lexo edhe
ATKDeklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
ATKKOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK shënon rezultate rekorde në gjashtë muajt e parë të vitit 2026
Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon trendin e fuqishëm të rritjes së të hyrave tatimore. Gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë arkëtuar 595.6 milionë euro, që përbën 71.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin arkëtuar 524.1 milionë euro.
ATKKOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK dhe Tatimet e Shqipërisë forcojnë partneritetin strategjik për modernizimin e administrimit tatimor
Administrata Tatimore e Kosovës mirëpriti sot në një vizitë pune Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, z. Ilir Binaj, i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Mentor Hyseni, së bashku me stafin drejtues të institucionit.
