NJOFTIM PËR TATIMPAGUESIT – REGJISTRO TË GJITHË PUNËTORËT NË SISTEMIN EDI!

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë tatimpaguesit që kanë të punësuar se duhet të plotësojnë dhe deklarojnë të dhënat për të gjithë punëtorët që aktualisht i kanë në marrëdhënie pune.
Për këtë qëllim, tatimpaguesit duhet të përdorin shërbimin elektronik në Sistemin Elektronik EDI, përmes të cilit është funksionalizuar formulari për regjistrimin e punëtorit.
Ky proces duhet të realizohet për të gjithë punëtorët ekzistues, duke plotësuar formularin përkatës për secilin punëtor, sipas informatave dhe fushave të përcaktuara në formularin e publikuar në Sistemin Elektronik EDI.
Formulari përmban, ndër të tjera, të dhëna lidhur me:
datën e fillimit të punës;
datën e ndërprerjes së punësimit, sipas rastit;
orarin e punës, të plotë apo të pjesshëm;
nivelin e shkollimit;
profesionin;
pozitën e punës;
si dhe të dhëna të tjera të kërkuara në formular.
ATK rikujton se shërbimi elektronik për regjistrimin e punëtorit është funksionalizuar në përdorim në Sistemin Elektronik EDI në bazë të Ligjit Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, përkatësisht nenit 43, paragrafit 5.
Për punëtorët që aktualisht janë në marrëdhënie pune, të gjithë punëdhënësit duhet të plotësojnë dhe deklarojnë të dhënat përkatëse në Sistemin Elektronik EDI, më së largu deri më 31 tetor 2026.
Tatimpaguesit këshillohen që procesin ta përfundojnë me kohë dhe të sigurohen se të dhënat e deklaruara janë të plota, të sakta dhe në përputhje me gjendjen faktike të punësimit.
Pas plotësimit dhe deklarimit të të dhënave, punëdhënësit janë të obliguar që, sa herë që ndryshojnë të dhënat e punëtorit, t’i përditësojnë ato në Sistemin Elektronik EDI, në mënyrë që të dhënat për të punësuarit të jenë të sakta, të plota dhe të përditësuara.
Mosplotësimi dhe mosdeklarimi i të dhënave për punëtorët, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara me legjislacionin tatimor, mund të jetë subjekt i veprimeve dhe masave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Për plotësimin e saktë të formularit, tatimpaguesit mund të shfrytëzojnë edhe “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, i cili është i qasshëm në dritaren përkatëse të Sistemit Elektronik EDI.
Përmbush detyrimet në kohë, kontribuo në një Kosovë më të mirë.
Administrata Tatimore e Kosovës
Lexo edhe
ATKDeklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
ATKKOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK shënon rezultate rekorde në gjashtë muajt e parë të vitit 2026
Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon trendin e fuqishëm të rritjes së të hyrave tatimore. Gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë arkëtuar 595.6 milionë euro, që përbën 71.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin arkëtuar 524.1 milionë euro.
ATKKOMUNIKATË - Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës realizuan aktivitete të përbashkëta në kuadër të operacionit ndërkombëtar “JAD Global Chain 2026”
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin e Punës, gjatë periudhës 08–12 qershor 2026, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex.
