KOMUNIKATË PËR MEDIA – Kosova dhe Italia me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit në të ardhura.
Kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore. Përmes saj mundësohet eliminimi i barrës së tatimit të dyfishtë për individët dhe bizneset, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe aktivitete ekonomike.
Në të njëjtën kohë, marrëveshja adreson parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimor, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mos-deklarim apo deklarim jo të saktë. Në kuadër të saj përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore. Marrëveshja zbatohet për personat rezidentë të njërit apo të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet.
Gjithashtu, marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet.
Republika e Kosovës vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e tatimeve dhe aktualisht ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme.
https://www.atk-ks.org/marreveshjet/marreveshjet-nderkombetare/
Lexo edhe
ATKDeklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
ATKKOMUNIKATË PËR MEDIA – ATK shënon rezultate rekorde në gjashtë muajt e parë të vitit 2026
Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon trendin e fuqishëm të rritjes së të hyrave tatimore. Gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë arkëtuar 595.6 milionë euro, që përbën 71.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin arkëtuar 524.1 milionë euro.
ATKKOMUNIKATË - Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës realizuan aktivitete të përbashkëta në kuadër të operacionit ndërkombëtar “JAD Global Chain 2026”
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratin e Punës, gjatë periudhës 08–12 qershor 2026, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex.
